HISTORIKU

Historiku i AKBPM

 

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është një institucion shtetëror përgjegjës për kontrollin shtetëror të barnave. Është krijuar në vitin 1965, për analogji me institucionet e ngjashme në shtetet e tjera dhe organizimi i punës në sektorë është bërë në përputhje me orientimin e OBSH. Fillimisht është quajtur Laboratori Shtetëror i Kontrollit të barnave. Vitet e para numri i barnave që kalonin kontrollin laboratorik ka qenë i kufizuar, ato kryesisht përbëheshin nga përgatesa të farmacive.

Në vitin 1968, me kalimin nga ambientet e Profarmës në godinë më vete si dhe me plotësimin me kuadrin e nevojshëm, kontrolli u zgjerua. Objekt i këtij kontrolli ka qenë lënda e parë farmaceutike që hynte kryesisht nëpërmjet Fu-Farmës, përgatesat e ndryshme të farmacive të rrjetit të hapur e të mbyllur në shkallë vendi, prodhimet e Profarmës e më pas të Uzinës së Antibiotikëve si dhe një numër i kufizuar i preparateve të importuara. Në përgjithësi egzistonte baza laboratorike e për zbatimin e metodave të analizës në përputhje me kërkesat e farmakopeve të ndryshme.

Mund të thuhet se nga ato vite është trashëguar një traditë e mirë e punës në laborator.

Ndër vite laboratori analitik është pajisur vazhdimisht me aparatura bashkëkohore të cilat kanë mundësuar kontrollin analitik në përputhje me kërkesat e viteve të fundit.

Deri në vitin 1992 numri më i madh i mostrave të analizuara përbëhej nga lëndë të para farmaceutike. Me kalimin e kohës mund të thuhet që specialitetet farmaceutike kanë dominuar ndjeshëm.

Në vitin 1993 me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 60, datë 11.02.1993 u quajt Qëndra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (Q.K.K.B.) duke ruajtur pothuajse të njëjtën strukturë organizimi.

Me daljen e Ligjit Nr.7815 “Për Barnat”, datë 20.04.1994, në A.K.B.P.M u shtuan Sektori i Inspektimit dhe Sektori i Regjistrimit të Barnave dhe në vitin 2004 u aprovua krijimi i sektorit të Informacionit dhe Marëdhënieve me Jashtë.

Me hyrjen në fuqi të ligjit te barnave nr 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” Qëndra Kombëtare e Kontrollit të Barnave u quajt Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Sot A.K.B.P.M. përfaqëson një institucion të specializuar për analizën, kontrollin dhe regjistrimin e barnave dhe ushtron veprimtarinë e saj nën varësinë e Ministrinë ë Shëndetësisë.