Formulari raportimi

PSE DUHET TË RAPORTONI?

Formulari i Raportimit qëndron në qendër të sistemit të Farmakovigjilencës dhe mbledhja e informacionit kryhet në bazë të raportimeve lokale të marra. Ndaj dhe rëndësia e raportimit është esenciale për mirëfunksionimin e sistemit të farmakovigjilencës në Shqipëri. Ju mund të shkarkoni formularin dhe ta dorëzoni atë të plotësuar pranë AKBPM-se, ose ta plotësoni dhe dërgoni atë elektronikisht. Nëse ka disa raportime për të njëjtin rast, atëherë ngrihet një sinjal, i cili shënon fillimin e aktivitetit të sistemit të farmakovigjilencës. Një numër i lartë raportimesh luan rol kyç në anëtarësimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në Programin Ndërkombëtar të Monitorimit të Barnave (WHO-PIDM).

ÇFARË TË RAPORTOSH?

Raporto çdo efekt të padëshiruar apo shqetësim shëndetësor që ju ndodh dhe që ju dyshoni se është shfaqur prej barit që keni marrë. Nëse ju kontrolloni për efektin e padëshiruar dhe ju rezulton se ai është i shënuar në fletëudhëzues, gjithsesi duhet ta raportoni.

Gjeni si më poshtë përkufizimin e efektit të padëshiruar:

Efekt i padëshiruar është përgjigjja e padëshiruar ose e dëmshme e organizmit gjatë administrimit të një bari në kushte normale përdorimi.

 Efekt i padëshiruar serioz, është çdo efekt i padëshiruar që rezulton në vdekje, është kërcënues për jetën, kërkon shtrim në spital të pacientit ose zgjatjen e periudhës së shtrimit në spital, rezulton në paaftësi ose paaftësi të përhershme apo të rëndësishme, ose është një anomali e trashëguar apo defekt në lindje.

Efekt i padëshiruar i papritur, është çdo efekt i padëshiruar, natyra, rëndësia ose rezultati i të cilit nuk është në përputhje me përmbledhjen e karakteristikave të produktit.

KUSH MUND TË RAPORTOJË?

Mjekët,  Farmacistët,  Dentistët,  Infermierët,  Profesionistë të tjerë të shëndetësisë.

SI TË RAPORTOSH?

Pasi të plotësoni formularin e raportimit klikoni tek butoni “dërgo” dhe ai automatikisht do të vijë tek adresa  e e-mailit të Sektorit të Farmakovigjilencës. Ose mund të klikoni tek butoni “Shkarko” dhe të shkarkoni formularin e plotësuar dhe ta dërgoni atë dorazi pranë zyrave të Sektorit të farmakovigjilencës në Agjenci.

Nëe bazë të ligjit NR.9887, DATË 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” të gjitha informacionet e shkruara në formularin e raportimit janë konfidenciale,  Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore mban përgjegjësi për çdo thyerje të fshehtësisë.

Raportoni online per efektet e padeshiruara – KLIKO KETU
Ju lutem klikoni më poshtë për të shkarkuar formularin (format pdf), i cili mund të dërgohet në mënyrë elektronike në adresën farmakovigjilenca@akbpm.gov.al ose pranë AKBPM-së.